Resurset gjenetike bimore dhe rëndësia e tyre

  • Çfarë janë resurset gjenetike? Nga këndvështrimi biologjik dhe gjenetik, bimësia, si brenda një specieje, ashtu edhe ndërmjet specieve, karakterizohet nga një larmi e madhe, gati e pafund, tiparesh sasiore e cilësore të cilët përfshihen në një term të përgjithshëm biodiversitet. Në literaturën speciale, tërësia e këtij biodiversiteti të trashëgueshëm, përbën atë që thuhet resurse gjenetike. Por duhet thënë se ky, si një koncept, nuk është i vështirë të kuptohet. Për këtë mjafton t’i referohemi togfjalëshit i cili mund të ndahet në resurse, që do të thotë burim, pasuri,rezervat dhe gjenetike, që nënkupton tipare, karaktere të trashëgueshme të atyre burimeve.
  • Në një plan të gjerë koncepti resurse gjenetike të bimëvepërfshin të gjithë bimësinë, si atë të egër, spontane, ashtu edhe ato të domestikuara, domethënë që kultivohen ose jo, me tiparet e tyre të trashëgueshme që ato zotërojnë në kohë dhe në një territor të caktuar, apo në tërë planetin. Ndërsa në një vështrim më të ngushtë, agronomik, me resurse gjenetike përfshihen popullatat e bimëve të kultivuara, format e tyre të egra dhe varietetet e tyre të përmirësuara etj.
  • Resurset gjenetike bimore përfshijnë llojet e egra, linjat e seleksionimit, kultivarët, popullatat e vendit (landraces) dhe kryqëzimet e lira. Pra, të gjitha gjallesat bimore që popullojnë tokën e një vendi, të cilat, kush më shumë e kush më pakë kanë vlerat e tyre, të drejtpërdrejta apo të tërthorta, për sot apo për të ardhmen. Në këtë kontekst, njohja shkencore dhe ruajtja e kësaj trashëgimie, përbën një nga problemet më kryesore që është shfaqur para shoqërisë njerëzore.
  • Variacioni i gjerë i resurseve gjenetike mund të përdoret ose të mbahet rezervë për përdorim të mëvonshëm kur t’i nevojitet shkencës së përmirësimit gjenetik të bimëve, etj. Nëse nuk njihet rëndësia e tyre, atëherë për to do të humbasë interesi dhe kujdesi dhe ato do t’i nënshtrohen erozionit gjenetik. Erozioni tani tregohet si një dukuri negative për të karakterizuar zhdukjen e formave bimore e cila shpie në ngushtimin e variabilitetit gjenetik. Fenomeni i erozionit shfaqet, ku më shumë e ku më pakë, në të gjitha vendet e botës, por me intensitet të ndryshëm.
  • Ndër resurset gjenetike që ruhen ex situ (koleksion bazë dhe koleksion fushor) përmendim: drithrat, foragjeret, perimet,medicinalet & aromatiket, industrialet, pemët frutore, hardhia,subtropikalet, ulliri & agrumet, etj.