Koleksionimi është hapi i parë i ruajtjes së resurseve gjenetike, roli i të cilit sa vjen e po rritet e cila lidhet me rrezikun e erozionit gjenetik i cili është në rritje. Ky përfshin një sërë aktivitetesh që nga eksplorimi i gjermoplazmës, koleksionimi i materialeve në terren, përpunimi, dokumentimi, deri në dorëzimin për ruajtje. Në esencë koleksionimi përbën një nga proceset e vështira në punën me resurset gjenetike, jo vetëm në drejtim të punës në terren, por edhe në kapjen e variacioni gjenetik i cili është i pranishëm në një popullatë objekt koleksionimi. Në këtë kuadër me rëndësi është marrja e kampioneve (mostrave) dhe përcaktimi i një strategjie efektive të marrjes së tyre. Nga ky këndvështrim koleksionimi nuk është një punë e rëndomtë, por ka të bëjë me zgjidhjen e një sërë problemesh të natyrës shkencore, metodike, teknike dhe organizative, që duhet të përballohen nga misionet koleksionuese.

Koleksionimi i gjermoplazmës është jo vetëm hapi i parë i ruajtjes ex situ, por edhe një proces i domosdoshëm për të përcaktuar vlerat e saj dhe mënyrën se si ato materiale duhet të vihen në përdorim. Kjo është një punë që duhet të kryhet në vendin e duhur, në kohën e duhur dhe me shënimet e duhura. Për këtë arsye, fillimisht speciet e programuara për koleksionim duhet të gjenden dhe të identifikohen me korrektësi (eksplorimi). Para se të filloj puna për koleksionimin e gjermoplazmës merret një vendim, jo vetëm se cilat lloje bimësh por edhe se cilat pjesë të bimëve do të koleksionohen. Ajo që duhet të shqetësojë koleksionuesit është përpjekja që ata duhet të bëjnë për të kapur diversitetin maksimal për sasinë e materialit të koleksionuar.