“Ne mbledhim, studiojmë dhe ruajmë diversitetin gjenetik të bimëve për përdorim të tanishëm dhe të ardhshëm”
Banka Gjenetike Shqiptare mban koleksione me materiale bimore, me qëllim mbajtjen gjallë dhe ruajtjen e karakteristikave të tyre për përfitime të njerëzimit dhe mjedisit në të ardhmen. Banka Gjenetike Shqiptare është ngritur si qendër e resurseve gjenetike e bimëve, me theksin & vëmendjen që bimët janë burim i karateristikave gjenetike – burim i diversitetit. Banka Gjenetike mban mjaft mostra të ndryshme gjermoplazme me interes aktual ose potencial, për njerëzit që punojnë me resurset gjenetike (seleksionerë, fermerë, prodhues farash, qendra bujqësore, kërkues, etj.), të cilat janë koleksionuar në të gjithë vendin. Bimët që ruhen përfshijnë specie të rëndësishme ekonomike për ushqimin dhe bujqësin (varietete tradicionale – landrace, kultivarë primitiv dhe modern, si dhe të afërm të egër të tyre), bimë të pemëve frutore, foragjere, mjekësore dhe dru-frutorë të pyjeve.
VIZIONI: Ruajtja e resurseve gjenetike bimore të rëndësishme në bujqësinë shqiptare dhe përdorimi i tyre i qëndrueshëm në përfitim të shoqërisë njerëzore dhe mjedisit në të tashmen dhe të ardhmen.
MANDATI: Eksplorimi, inventarizimi, koleksionimi dhe studimi i burimeve gjenetike të bimëve me qëllim ruajtjen dhe përdorimin e duhur të tyre, si një parakusht për sigurinë ushqimore, mbrojtjen e mjedisit, përballimin e ndryshimeve klimatike dhe ndaljen e zhdukjes së diversitetit bimor.
BIMËSIA ËSHTË BAZA PREJ SË CILËS VARET PJESA TJETËR E BIODIVERSITETIT
DOMOSDOSHMËRIA E RUAJTJES SË BIMËVE: Bimësia vesh sipërfaqen e tokës së planetit ku jetojmë dhe absorbon energjinë e diellit, për të mbështetur jetën e gjallesave në faqen e planetit ‘Tokë’. Bimët na ushqejnë, na veshin, i shtojnë bukurinë peisazhit, na japin materialet e ndërtimit dhe shumë përbërës të medikamenteve farmaceutikë.
NDËRGJEGJËSIM MBI SHUMËLLOJSHMËRINË BIMORE: Megjithë rëndësinë themelore që kanë bimët, vëmëndja që i kushtohet ruajtjes së tyre është aq e vogël, sa të krijon idenë e një marrdhënieje që s’mund të jetë e vërtetë, por veçse një lojë. Për ta bërë më të dukshme rëndësinë që i duhet kushtuar bimëve, lind nevoja e organizimit të aktiviteteve edukuese dhe ndërgjegjësuese. Në këmbim të këtyre përpjekjeve, pritet një lloj ndryshimi në sjelljen dhe ndjeshmërinë njerëzore, ndaj botës bimore.
Banka gjenetike, si një bankë kombëtare, ruan një gamë të gjërë speciesh bimore. Meqenëse një nga objektivat e saj madhore është konservimi për shumë kohë, ruajtja e gjermoplazmës bëhet në kushtet e ruajtjes afatgjatë. Banka gjenetike ruan gjermoplazmën (materiale farash në frigoriferë / dhoma të ftohta dhe materiale vegjetative me rritje ex situ të bimëve në koleksionet fushore).
Banka Gjenetike kryen aktivitetet duke realizuar procedura të ndryshme të cilat bëjnë gjermoplazmën më të dobishme për fermerët dhe shkencëtarët e tjerë.
Procedurat në Bankën Gjenetike
- Koleksionimi & Pranimi i gjermoplazmës
- Përpunimi & Konservimi i gjermoplazmës
- Karakterizimi & Vlerësimi
- Rigjenerimi i gjermoplazmës
- Dokumentimi & Informimi
- Shpërndarja e gjermoplazmës
Koleksionet e gjermoplazmës
- Konservimi i farërave
Çfarë është konservimi i farërave? Konservimi i farërave është ruajtja e farërave në kushte mjedisi të kontrolluara që mbajnë fara me aftësi jetësore për një kohë të gjatë. Jetëgjatësia e farërave varet nga cilësia fillestare e farës, përmbajtja e lagështisë dhe temperatura gjatë ruajtjes. Në përgjithësi, përmbajtja e ulët e lagështisë dhe temperaturat e ulta paksojnë humbjen e aftësive jetësore të farës. Kombinime të ndryshme të përmbajtjes së lagështisë dhe temperaturës mund të përdoren për të zgjatur aftësitë jetësore të farës gjatë ruajtjes.
Tipet e ruajtjes: Dy tipe ruajtje për konservimin e resurseve gjenetike të bimëve përdoren aktualisht në bankën gjenetike. Mostrat e farërave që ruhen për një kohë afatgjatë të referuara si koleksione bazë dhe mostrat e farërave që ruhen për përdorim të menjëhershëm të referuara si koleksione aktive. Këto tipe ruajtjesh ndryshojnë për temperaturën, lagështinë relative, përmbajtjen e lagështisë në farë, paisjeve të ruajtjes dhe rregullave të shpërndarjes.
Banka gjenetike ruan resurse gjenetike bimore për afro 5000 aksesione të mbi 182 specieve të ndryshme. Ruajtja bëhet në 3 forma:
- Ruajtje afatgjatë (përfshihen koleksionet bazë).
- Ruajtje afat shkurtër & mesme (përfshihen koleksionet aktivë).
- Ruajtje vegjetative (përfshihen koleksionet fushore)
Kushtet e ruajtjes më të detajuara janë përcaktuar më poshtë:
- Ruajtja afatgjatë: përdoren temperatura që variojnë nga – 1°C deri në – 20°C, përmbajtja e lagështisë është nga 4-6%, materialet gjenetike ruhen për më shumë se 15 vite (deri në 30, 50 dhe 100 vite).
- Ruajtje afatmesme: përdoren temperatura nga + 1°C deri në + 10°C, përmbajtja e lagështisë në 15%, materialet gjenetike ruhen për më shumë se 10 vite.
- Ruajtje afatshkurtër: ruajtja bëhet me pakësimin e përmbajtjes së lagështisë, në kushtet e temperaturës së ambientit.
Llojet e koleksioneve në bankën gjenetike
Gjermoplazma mbahet në lloje “koleksionesh” të ndryshëm; këto koleksione përdoren nga banka gjenetike në rrugë e mënyra të ndryshme. Janë tre tipe/lloje koleksionesh që hasen më shpesh në literaturë: bazë, aktive dhe pune. Qëllimi i krijimit të çdo tipi koleksioni është krejtësisht i ndryshëm. Më poshtë jepen disa përkufizime të dobishme pune mbi koleksionet.
Koleksionet bazë
Koleksioni bazë: Një koleksion i gjermoplazmës që mbahet për një kohë të gjatë. Koleksioni bazë siguron ruajtjen dhe nuk përdoret si burim i shpërndarjes rutinë. Si rregull farat ruhen me përmbajtje të ulët të lagështisë dhe në temperaturë nën zero.
Koleksioni bazë është një seri aksesionesh të dallueshëm nga njeri tjetri dhe ku çdo aksesion është sa më afër mostrës origjinale në terma të integritetit gjenetik. Normalisht farërat nuk shpërndahen direkt përdoruesëve nga koleksioni bazë, por të përdoren vetëm për rigjenerimin e koleksioneve aktive. Koleksionet bazë ruhen për një kohë të gjatë (nga 30, 50 deri 100 vite) në temperaturë nën 0°C, zakonisht në -18° deri -20°C, për të ruajtur aftësitë jetësore të farërave.
Koleksionet aktive
Koleksioni aktiv: Një koleksion i gjermoplazmës i përdorur për rigjenerim, shumëzim, shpërndarje, karakterizim dhe vlerësim. Në mënyrë ideale gjermoplazma në koleksionin aktiv duhet të mbahet në sasi të mjaftueshme për të qenë e vlefshme sipas kërkesave. Gjermoplazma e koleksioneve aktive si rregull është e dubluar në koleksionin bazë dhe shpesh ruhet në kushtet e ruajtjes afatmesme.
Koleksioni aktiv përfshin aksesionet të cilat janë menjëherë të vlefshëm për shumëzim dhe shpërndarje për përdoruesit. Në këto koleksione ndërhyhet shpeshhere prandaj mbahen në kushtet që sigurojnë të paktën në 65% aftesitë jetësore të farërave për 10 deri në 20 vite. Për të siguruar ruajtjen e aftësive jetësore të farërave (mbi 65% për 10 deri në 20 vite) për koleksionet aktive, rekomandohen kombinimet e temperaturës dhe të përmbajtjes së lagështisë në nivele lehtësisht më të lartë se ato të koleksioneve bazë.
Koleksioni i punës: Një koleksion i gjermoplazmës i cili përdoret nga seleksionerët ose kërkuesit në punën e tyre. Konservimi nuk është prioritet në koleksionet e punës. Një shembull i koleksionit të punës mund të jenë mostrat që rrjedhin nga koleksioni aktiv që është përdor nga seleksionerët gjatë realizimit të programit të tyre të përmirësimit.
Koleksioni fushor (ose bankë fushore) është një koleksion i bimëve të gjalla (psh., pemët frutore, bimët e serave dhe bimët e arave). Në rastet kur do të ishte e vështirë mbajtja e gjermoplazmës si farë, ajo mund të mbahet e të riprodhohet në koleksionet fushore. Shpesh, në shumë banka gjenetike, ky është tipi/lloji i vetëm i koleksionit që ato mbajnë. Koleksionet fushore do të konceptoheshin dhe kanë kuptimin e koleksioneve aktive.